Saturday, March 13, 2010

LUTJE PËR GRATË QË KANË KRYER ABORT


Femrave u është servirur mashtrim. Nënat janë dëmtuar si fizikisht ashtu edhe emocionalisht nga abortet. Fëmija i palindur nuk është thjesht një masë mishore. Foshnja është një qenie njerëzore e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Kjo foshnjë njerëzore e pafajshme duhet të jetë e mbrojtur ndaj çdokujt që mund të dojë ta dëmtojë. Ata që nuk e vlerësojnë dinjitetin e nënave apo jetën e foshnjave të palindura kanë vazhduar të mashtrojnë e të miratojnë ligje që mbështesin mashtrimin e tyre prej shumë kohësh tashmë. 
Në kohën kur shumica e grave fillojnë të besojnë se mund të jenë shtatzëna, rreth javës së 5-të, kanë filluar të zhvillohet truri dhe shtylla kurrizore e foshnjës si pjesë përbërëse të sistemit të tij/saj nervor. Po në të njëjtën kohë formohet edhe zemra. Ajo fillon edhe të rrahë aty nga java e 6-të ose e 7-të e shtatzanisë.
Megjithëse në përmasa shumë të vogla, foshnja formohet plotësisht vetëm 12 javë pas ngjizjes. Ai/ajo i ka të gjitha organet, muskujt, gjymtyrët dhe kockat. Që këtej e tutje ai/ajo do të fillojë të rritet e zhvillohet plotësisht. Rrahjet e zemrës së tij/saj bëhen të forta aty nga java e 14-të e shtatzanisë.

Foshnja rritet e zhvillohet me shpejtësi. Në javën e 24-t, foshnja ka mundësi të mbijetojë në rast se lindet në një spital të pajisur si duhet. Tashmë po rritet numri i foshnjave që mbijetojnë edhe pse janë lindur para kohe, madje edhe i atyre që nuk i kanë mbushur 24 javë në barkun e nënës.

Në javën e 33-të deri 36-ë, truri dhe sistemi nervor i foshnjës janë zhvilluar plotësisht dhe kockat kanë filluar të forcohen. Foshnja është gati të lindet aty nga java e 40-të e shtatzanisë.  

Vetëm brenda këtij viti, në mbarë botën janë vrarë përmes aborteve mbi 50 milionë foshnja të palindura dhe si pasojë shumë prej nënave të këtyre foshnjave ende vazhdojnë të vuajnë fizikisht dhe emocionalisht. Lutuni bashkë me ne që nënat nuk do të bien më pre e këtyre mashtrimeve dhe se ato do t’i mbrojnë foshnjat e tyre të palindura ende.   


Ju lutemi lutuni që …

1.  Nënat të zgjedhin t’i lindin foshnjat që rriten në barkun e tyre dhe jo t’i abortojnë ato. Sipas UNFP-së (Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë), 50 nga 190 milionë shtatzani në botë gjatë harkut kohor të një viti, përfundojnë në abort.

2.  Gratë që kanë kryer abort të mund të përjetojnë rimëkëmbjen dhe shpengimin që vjen përmes Jezus Krishtit, Birit të Perëndisë, i cili është i vetmi që mund të shndërrojë thyerjen në plotësi, i cili na ripërtërin në shëmbëlltyrën e Tij, na pajton me Veten e Tij dhe na jep paqen e Tij.

3.  Fuqia e Ungjillit të prekë zemrat dhe jetët e nënave që janë mashtruar nga besimet dhe ideologjitë e rreme fetare në mënyrë që ato të kuptojnë thirrjen e tyre për të ushqyer dhe mbrojtur bijtë dhe bijat e tyre.  

4.  Gratë që po mendojnë të abortojnë të mund të mësojnë të vërtetën se çfarë është në fakt më mirë për to. Aborti nuk vret vetëm foshnjat. Shumë prej grave që kanë kryer abort, preken prej një numri të madh dhe të shumëllojshëm çrregullimesh mendore dhe kanë vdekshmëri më të lartë nga vetëvrasjet dhe aksidentet. Çertifikatat e vdekjes të shumë nënave që kanë kryer abort nuk japin detaje për këtë fenomen çka zvogëlon raportimin e numrit të saktë të këtyre rasteve.    

5.  Personeli i Projektit ‘Ana’ të ketë urtësinë e duhur se si të mbajë lidhjet dhe t’u vijë në ndihmë dëgjuesve të programit ‘Gratë e Shpresës’ (GeSH) që kanë nevoja të mëdha e të ngutshme.  

6.  Perëndia qoftë lëvduar që transmetimi i programit ‘Gratë e Shpresës’ në gjuhën ruse tashmë ka filluar. Perëndia qoftë lëvduar që gratë me kombësi haitiane që jetojnë në Boston të Shteteve të Bashkuara kanë tani mundësinë të dëgjojnë programin ‘Gratë e Shpresës’ në gjuhën kreole që transmetohet nga Radio ‘Echo Evangelique’(Jehona Ungjillore)    

7.  Pavarësisht kushteve shumë të rrezikshme, të Krishterët që jetojnë në vende të mbyllura dhe që janë të vendosur të vazhdojnë t’i shërbejnë Perëndisë aty ku Ai i ka vendosur, të gëzojnë mbrojtjen fizike dhe frymore të Tij. Disa prej producentëve tanë përballen çdo ditë me rrezikun e humbjes së familjeve, zotërimeve apo edhe jetëve të tyre për shkak të Ungjillit.

8.  Të ketë përkujdesje më të mirë shëndetësore për ato mijëra gra që janë në rrezik vdekjeje gjatë shtatzanisë, përfshirë rrezikun nga gjendja e komas gjatë apo pas lindjes. Lutuni që gratë të ndërgjegjësohen se si të kujdesen për veten dhe foshnjat e tyre të palindura dhe që qeveritë të mund të luftojnë kundër korrupsionit që pengon përmirësimin e përkujdesjes shëndetësore.   

9.  Lutuni për fëmijët e palindur nënat e të cilëve/cilave janë duke menduar të kryejnë abort. ‘Kockat e mia nuk ishin një gjë e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende’ (Psalm 139:15-16).

10.  Perëndia ynë t’i japë lavdi Vetes me anë të transmetimit të programeve ‘Gratë e Shpresës’ përmes shpalljes së Fjalës së Tij, e cila ofron falje dhe shërim për gratë që jetojnë duke fajësuar veten dhe duke u ardhur keq që kanë zgjedhur të kryejnë abort të foshnjave të tyre të palindura.

11. Gratë dhe vajzat që kanë mbetur shtatzëna për shkak të përdhunimit të mund të gjejnë shërim fizik dhe emocional në dashurinë dhe dhembshurinë e Jezus Krishtit përmes përkujdesjes dhe mbështetjes së ndjekësve të Tij. Lutuni për këshilluesit e Projektit ‘Ana’ ndërsa ata i shërbejnë grave dhe vajzave që kanë pasur përvoja traumatike. ‘Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë’ (Romakëve 15:13). 

12.  Lutuni për ata që mbrojnë me guxim dhe haptazi të drejtat e fëmijëve të palindur. Në 26 Shtator të këtij viti, në Berlin të Gjermanisë u organizua një Ecje Për Jetën në të cilën morën pjesë 1,300 njerëz pro jetës. Lutuni që në të ardhmen më shumë njerëz do të marrin pjesë në këto veprimtari.  
13.  Zoti qoftë lëvduar për fushatën ‘40 Ditët e Jetës’ (23 Shtator deri më 1 Nëntor). Kjo iniciativë u zhvillua në 212 qytete në 45 shtete të Amerikës, pesë provinca të Kanadasë dhe Danimarkë. (http://www.40daysforlife.com/splash.cfm).
14.  Zoti, Perëndia ynë, i cili është në gjendje të ndryshojë zemrat dhe të drejtojë shtegun e kombeve, të mund të ndryshojë situatën dhe t’i fuqizojë udhëheqësit e kombeve të veprojnë në emër të mbrojtjes së martesave dhe familjeve.

15.  Lutuni për nënat që janë të rrezikuara nga dëmtimet që kanë të bëjnë me lindjen të tilla si fistulat, që u shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme dhe urinim të pavullnetshëm dhe që bëjnë që bashkëshortët e tyre t’i braktisin ose i detyrojnë ato të izolohen brenda mureve të shtëpisë pasi nuk kanë para për operacionin e nevojshëm për të riparuar dëmtimin.   

16.  Ati ynë Qiellor të na mësojë se si të ‘kërkojmë drejtësi, ndihmojmë të shtypurin, sigurojmë drejtësi jetimit, dhe mbrojmë çështjen e gruas së ve’ (Isaia 1:17). 

17.  Lutuni që gratë që i kanë dhënë fund një shtatzanie të paplanifikuar të cilat po përpiqen t’i shpëtojnë ndjenjave të fajit, zemërimit e turpit dhe që ndihen larg dashurisë së Perëndisë të mund të kërkojnë faljen dhe shërimin e Tij.  

18.  Lutuni që ata që do të marrin pjesë në Kongresin e Parë Ndërkombëtar mbi Shëndetin e Grave dhe Konferencën mbi Abortin e Pasigurt, në Bangkok, Tailandë, më datat 20-23 Janar, të lejojnë të vërtetën të shfaqet hapur dhe të bëjnë të ditur se gratë po dëmtohen dita-ditës nga abortet e që për të shpëtuar jetën e fëmijëve të palindur si dhe për të mbrojtur jetën e nënave duhet të bëhen përpjekje edhe më të mëdha.   

19.  Lutuni që Fryma e Perëndisë të lëvizë me fuqi për të mbrojtur 50 milionë fëmijët e palindur anembanë botës që mund të abortohen këtë vit. ‘Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore’ (Proverbs 31:8). 

20.  Lutuni për ata qindra mijëra pjesëmarrës në Marshin për Jetën (http://www.marchforlife.org/) në 22 Janar në Uashington D.C. si dhe për shumë veprimtari të tjera të Ecjes për Jetën në mjaft qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ata ngrenë zërin për fëmijët e palindur, ‘të memecëve’.

21.  Zoti qoftë lëvduar për udhëheqësit e shtetit në Republikën Domenikane që kanë përfshirë terma pro-jetës mbi abortin në kushtetutën e vendit të tyre duke u shprehur se e drejta e jetës vlen që nga ngjizja deri në vdekje. (LifeNews.com).

22.  Lutuni që qeveritë e vendeve të botës të mund të trainojnë mjekët dhe mamitë se si të parandalojnë fistulat, si dhe të sigurojnë qendra shëndetësore të mirë-pajisura në të gjithë vendin, në mënyrë që gratë të mbërrijnë në klinikë në kohë për lindje. Në Etiopi, 94 përqind e grave lindin pa pasur ndihmën e ndonjë punonjësi shëndetësie të kualifikuar ndërkohë që shumica e grave të këtij kombi kanë shtat të imët. (BBCNews.com).

23.  Lutuni për zbatimin e plotë në mbarë botën të ligjeve ekzistuese kundër praktikave të liga të abortimit të foshnjave femrave, vrasjes së fëmijëve dhe mohimit të vullnetshëm të ushqyerjes së tyre. Në ditët tona, 61 përqind e popullsisë së botës jeton në vende ku aborti lejohet me kufizime fare të vogla.  (http://reproductiverights.org/sites/crr.civicactions.net/files/documents/pub_fac_abortionlaws2009_WEB.pdf).

24.  Zemrat dhe mendjet tona të ndriçohen lidhur me çështjet që prekin gratë anembanë globit, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të ndërhyjmë me besnikëri dhe me urtësi në favor të tyre sipas vullnetit të Perëndisë.  

25.  Perëndia ynë të prekë zemrat e nënave anembanë globit me dashurinë e Tij të dhembshur e të mëshirshme, në mënyrë që ato të mësojnë të vlerësojnë, mbrojnë, edukojnë dhe përkujdesen për fëmijët e tyre, pavarësisht rrethanave.

26.  Lutuni për sigurinë e grave shtatzëna që janë të rrezikuara nga dhuna në familje e cila shpesh shkakton edhe vdekje. Lutuni që familjarët, miqtë dhe fqinjët e tyre do ta ngrenë zërin në rast se dyshojnë për abuzim dhe do t’i mbrojnë ato që kërkojnë ndihmë.

27.  Lutuni që gratë dhe vajzat adoleshente që po mendojnë të vetëvriten pasi kanë kryer abort, të gjejnë dikë që do t’u tregojë atyre dashurinë dhe përkujdesjen e Perëndisë. Shumë gra dhe vajza adoleshente janë detyruar të kryejnë abort dhe tanimë ato po përballen me dhimbjen emocionale që shpeshherë është e padurueshme.  

28.  Lutuni që ata ose ato që janë prekur nga tragjedia e abortit apo e vrasjes së fëmijëve të mund të përjetojnë mëshirën, faljen dhe ngushëllimin e Perëndisë përmes dashurisë, dhembshurisë dhe mirësisë së shfaqur nga njerëzit e Tij.

29.  Lutuni për urtësi dhe guxim për punonjësit e Projektit ‘Ana’ të cilët jo vetëm përkthejnë programet dhe kalendarët e lutjes por gjithashtu organizojnë seminare mbi shëndetin, drejtojnë trainime mbi udhëheqësinë e grave, shpërndajnë radio të dhuruara, drejtojnë grupe lutjeje dhe studime Bible, luten për dëgjuesit dhe u përgjigjen letrave të tyre. ‘Dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta’ (Romakëve 16:1).  

30.  Lutuni që përkujdesja shëndetësore në rritje të mund të zvogëlojë numrin e 515,000 vdekjeve në vit që shkaktohen nga sëmundje të parandalueshme që kanë të bëjnë me lindjen. Kombet e Bashkuara raportojnë se 47 përqind e lindjeve që ndodhin në vendet në zhvillim e sipër nuk kryhen me ndihmën e ndonjë personeli të kualifikuar.    

31.  Falenderoni Perëndinë që Ai po lëviz në zemrat e shumë prej atyre që po shfaqin hapur të këqijat që vijnë nga aborti, dhuna në familje, trafikimi i grave dhe vajzave për qëllime prostitucioni, përdhunimi, varfëria dhe abuzime të tjera me të cilat gratë përballen çdo ditë.