Tuesday, December 8, 2009

REFLEKTIME - PAS VDEKJES

Para disa muajsh kam marrë pjesë në varrimet e tre personave të afërt për familjen time. Të tre u larguan nga kjo botë në mënyra të ndryshme dhe unë mendova t’ju them disa nga reflektimet e mia lidhur me keto ngjarje:
1- Me sa di unë askush prej tyre nuk ka bërë një pohim lidhur me besimin në Jezus Krishtin. Në përgjithësi e kam më të lehtë të them që ata që nuk besojnë tek Jezusi nuk shkojnë në qiell, por qenka shumë e vështirë ta thuash për njerëzit e afërt duke shpresuar që ndoshta e kanë bërë dhe ne s’dimë gjë ose…
2- Të tre këta persona ishin të moshës mbi 60 vjec dhe askush s’i ka
predikuar përvec familjarëve që besojnë. Programet e ungjillizimit të kishave
në përgjithësi janë të fokusuara në moshat e reja, dhe më pak pleqve që janë të sëmurë. Kështu që e shoh se është një detyrë e imja dhe gruas sime t’i predikojmë dhe të bëjmë të pamundurën që të gjithë familjarët e fisit tonë të dëgjojnë ungjillin përmes nesh dhe të shpëtohen. Unë nuk do pres që këta ta bëjë një besimtar tjetër.
3- Kur ndodhin vdekje njerëzit janë më të hapur për të dëgjuar për përjetësinë,
nga frika e asaj që do i ndodhë atyre apo kurioziteti kanë më shumë mundësi të dëgjojnë se cfarë i ndodh njerzve pas vdekjes fizike. Kam folur në disa raste dhe në përgjithësi njerëzit janë të keqinformuar mbi përjetësinë.
4- Megjithëse nuk besojnë në Zot apo të ndjekin ato që shkruhen në librat fetarë, familjet shpesh ftojnë individë fetarë që bëjnë lutje përpara varrimit. Mendoj që kisha e Jezusit duhet të jetë e ndjeshme dhe të gjejë mënyra për të qenë pranë familjeve ku ndodh fatkeqësia dhe të bëjnë lutje për familjen pa kompromentuar atë që thotë Bibla dmth jo që të luten që Perëndia t’i marrë në parajsë sepse tashmë secili ka marrë vendimin e vet.
Lutja e askujt nuk mund ta cojë dikë që është ndarë nga jeta tokësore - nga ferri në qiell.
5-Njerëzit po vdesin dhe ende nuk e kanë dëgjuar prej sëmbari ungjillin e Jezusit. Ka shumë punë ende për t’u bërë dhe secili prej nesh që jemi ndricuar jemi thirrur për të shkuari së pari në familjen tonë, në fisin tonë, në të njohurit tanë dhe tek cdo njeri që na vjen në jetën dhe rrugën tonë.
Unë mund dhe di të bëj më shumë, besoj dhe ju.

No comments:

Post a Comment