Tuesday, December 8, 2009

Nuk eshte puna ime

Në një program televiziv i ftuari përmendi një thënie që akoma më bën të mendoj: “Nuk është puna ime!”
Unë e kam menduar dhe thënë nganjeherë dhe besoj ju po ashtu. Ajo që dua të ndaj me ju është në lidhje me përgjegjësitë sociale të një të krishteri.
Në momentin që dikush bëhet i krishterë dhe beson se Bibla është Fjala e Perëndisë, kërkon ndihmën e Fjalës për ta riorientuar në mënyrën e jetesës. Cfarë duhet të bëj si i krishterë në lidhje me Zotin dhe me ata që më rrethojnë?
Historia e përdorur shpesh e Samaritanit të mirë më bën të mendoj sesa herë unë bëhem si Prifti, sa herë bëhem si Leviti dhe sa herë bëhem si Samaritani. Dy të parët kishin shumë njohuri biblike, mësonin të tjerët për Zotin dhe shërbenin për Zotin. Por njohuria dhe besimi i tyre nuk i bëri të përgjegjshëm dhe të dhembshur ndaj fatkeqësisë që i kish ndodhur të panjohurit. Të dy fetarët i ishin drejtuar Jeruzalemit dhe sigurisht kishin dicka të rëndësishme për të bërë, dhe ai i panjohur i plackitur ishte jashtë planit të tyre.
Sa nevojë ka shoqëria shqiptare për përgjegjshmëri sociale. A duhet ta duam ne të afërmin tonë? Si mund ta ndihmojnë dikë kur duket sikur s’kemi për vete? Ne kemi një
mundësi të shkëlqyer për të dhënë dashuri me vepra. Ndërsa në vende të tjera të zhvilluara (sic eshte Kanadaja ku tani po jetoj) sistemet e ndërtuara sociale bëjnë të mundur zvogelimin në mase të problemeve sociale të individëve, ne e shikojmë cdo ditë që në Shqipëri kjo s’funksionon kështu.

Po cfarë mund të bëj unë?
Së pari fillon me ndërgjegjësim që shërbimi ndaj nevojtarëve është shumë i rëndësishëm për besimin e krishterë dhe nuk ka justifikim për mospërfshirje.
Së dyti duke identifikuar llojet e nevojave që janë për një grup të caktuar, zonë të caktuar, moshë të caktuar për të cilat ti unë dhe besimtarë të tjerë përkushtohemi të ndihmojmë.
Së treti shikohen mundësitë që ka kisha për të ndihmuar,ngritur fonde dhe ngritje shërbesash të reja.
Së katerti fillo me një. Asgjë e madhe nuk ka filluar e madhe. Bëj maksimumin tënd dhe Perëndia do të bëjë maksimumin e vet.
Së pesti krijo bashkëpunime, rrjete, koalicione për të bashkuar forcat, burimet dhe për të advokuar në nivele vendimmarrëse për të drejtat e këtyre personave.

Besoj që ka ardhur koha që lutjes t’i shtojmë dhe veprimin kur kemi të bëjmë me situata që kanë lidhje me vendime të pushteteve njerëzorë. Kujtoni Martin Luter King, që me përfshirjen e tij sociale ndihmoi që një një pjesë e madhe e popullsisë e lënë pas dore të fillojë të gëzojë të drejtat që i takonin.
Jam i sigurt që pastorët do të thonin: Endrit, kjo është ide e mirë por ne nuk kemi kohë, kemi kaq shumë shërbesa që kemi filluar dhe nuk jemi gati për një të re.
Unë do ju thosha që ju si pastorë s’keni pse bëni gjithcka vetë. Ju mund të filloni të flisni me kishën ku jeni barinj dhe t’i ndërgjegjësoni njerëzit. Ndërkohë lutuni
dhe përkrahini ata që vijnë të gatshëm për t’u përfshirë në këtë lloj shërbese.

Fillon me dëshirë.
Pali përsëriti fjalët e Jezusit te Gal 2:10 -mos harroni të varfërit (ata që s’kanë ushqime, veshje, të drejta, të vetmuarit, të dëshpëruarit, etj)
Ne kemi përgjegjësi sociale që dashurinë që kemi në zemër ta SHFAQIM. Për ne është më e lehtë të themi “të dua” se sa të harxhojmë kohën, paratë dhe dhuntitë për dikë që nuk e njohim.
Të krishterët e parë shkuan e predikuan ungjillin me shenja dashurie prej së vërteti, aq sa dhe një perandor romak shkruante që “ata (të krishterët) po na prishin punë sepse jo vetem që i ndihmonë të varfërit e tyre (dmth të kishës) por po ndihmojnë dhë të varfërit tanë (ata që lypnin tek tempujt paganë)”
Une besoj që po i flas zemrave që e duan Zotin sinqerisht dhe tani mund të lutesh sinqerisht:
Zot cfarë do ti që unë të bëj për të ndryshuar këtë vend. Zot cfarë do ti për të sjellë dashuri me vepra në jetën e atyre që kanë nevojë. Zot më ndrysho të
menduarin tim dhe më bëj gati që të jem dritë dhe kripë që vendin ku banoj. Amen
.”
Ndryshimi i Shqipërisë ESHTE PUNA IME.

No comments:

Post a Comment