Tuesday, December 15, 2009

Ç’TE BESH KUR MIKUT TEND I DHEMB SHPIRTI NGA DHIMBJA ?


Nëse mund të bëj diçka për ty…." ishin fjalët që dëgjova shpesh nga gojët e njerëzve që donin të ndihmonin sadopak në lehtësimin e dhimbjes së mikut të tyre, që kish humbur njeriun e zemrës.
Pse disa njerëz duket sikur dinë se çfarë të thonë në raste të tilla ndërsa të tjerët përpiqen me zor?  E vërteta është që t’i qëndrosh pranë dikujt që iu ka thyer zemra është e vështirë. Kemi frikë se mos themi fjalën e gabuar, pyesim të tjerët se çfarë thuhet në raste të tilla, është vështirë apo jo?
Megjithatë ne përpiqemi të lehtësojmë dhimbjen nën fjalët e Jezusit: “Qani me ata që qajnë”. Te Isaia 61:2 thotë "ngushëllo ata që vajtojnë" . Kur na thyhet zemra për dikë tjetër, ne reflektojmë trishtimin e Perëndisë. Por si mund të reflektojmë ngushëllimin e Perëndisë? Së pari kemi nevojë të kuptojmë së çfarë bën ngushëllimi dhe çfarë nuk përfshin.

Të ngushëllosh nuk do të thotë të shpjegosh vullnetin e Perëndisë.
Në Shqipëri dëgjojmë shpesh: E mori Zoti, apo Zoti e donte shumë këtë fëmijë saqë e mori lart, etj si këto. Megjithëse mund të thuhen me qëllim të mirë nuk ndihmojnë askënd përveçse ia vendosin të gjithë përgjegjësinë për fatkeqësinë e ndodhur Perëndisë. Perëndia nuk “shpërblen” me sëmundje a vdekje, dikë sepse bëri diçka të keqe, nuk po vete në kishë rregullisht, nuk po jep të dhjetën, e të tjera si këto. Perëndia është një Atë i mirë dhe kjo nuk është kjo mënyra e Tij e disiplinimit.  Eshtë e natyrshme nevoja jonë për të  shpjeguar vuajtjet e njerëzve. Dhe Jezusi u pyet “Kush ka mëkatuar ky apo prindërit e tij, që ka lindur i verbër?(Gjon 9:2). Jezusi u tha që gjërat nuk janë gjithmonë kaq të prera. Në këtë rast ai tha që ai njeri ishte aty për të treguar veprat e mëdha të Perëndisë. Më ka ndodhur që kam qenë i shpejtë për të gjykuar dhe gjetur shkakun e fatkeqësisë së dikujt, por kur më kanë ndodhur vetë kam reflektuar më shumë dhe kam kuptuar që kam qenë gabim.


Të ngushëllosh nuk do të thotë të rregullosh problemin. Kur dikush ka humbur një fëmijë ndërsa lindte i kanë thënë: ngushëllohu të paktën që mund të lindësh përsëri apo ke fëmijët e tjerë që të presin në shtëpi. Njëherë ndërsa isha i sëmurë më erdhi mendimi, tani që je sëmurë je duke mësuar sesa vuajnë të tjerët kur janë në këtë gjendje, në mënyrë që t’i ndihmosh.
Këto nuk ishin fjalët që më ndihmuan në ato momente. T’i tregosh njerëzve sesa do mësojnë ata nga kjo humbje apo vuajtje nuk i ndihmon apo ngushëllon shumë ata. Këto lloj “përfitimesh” nuk mund ta zëvendësojnë boshllëkun që ndjen ai që ka humbur të afërmin.
 
Të ngushëllosh nuk do të thotë të citosh vargjet e duhura biblike. Nuk e harroj historinë e treguar nga një pastor që kish humbur të birin. Ai kishte vlerësuar shumë në ato momente të vështira, jo ata që i kishin dhënë vargje biblike për atë rast, por dikë që kishte qëndruar pa fjalë pranë tij me orë të tëra, si te varri i djalit dhe te divani i shtëpisë.
 
Të ngushëllosh do të thotë t’i tregosh mikut: jam këtu për ty
Të ngushëllosh dikë do të thotë të fokusohesh në ndjenjat e tij/saj dhe jo të tuat. Meqë nuk arrijmë dot të shpjegojmë burimin e fatkeqësisë apo ta rregullojmë atë, kemi nevojë të përqëndrohemi sesi t’i plotësojmë nevojat e mikut tonë sa më mirë që kemi mundësi, ndoshta në mënyrat e mëposhtme:
 
Merr pjesë. Më parë kam menduar se duke qenë i pafuqishëm të ndryshoja diçka, ndihesha fajtor e shmangia pjesëmarrjen time në funeral. Kam gjykuar dhe njerëz të tjerë që më dukeshin sikur vinin për vizita,
thjesht për detyrë/zakon dhe nuk shikoja në to ndonjë shenjë keqardhje. Prania jonë gjatë pritjeve të njerëzve në shtëpi apo në ceremoninë e varrimit, ka vlerë ashtu siç ka dhe një shtrëngim dore apo një përqafim.
 
Dëgjo. Inkurajoje mikun tënd të shprehë atë që ndjen. Përgjithësisht gratë vuajnë në heshtje sepse të tjerët nuk hapin një diskutim në lidhje me humbjen e tyre. Duke ditur që ajo do të ketë vështirësi të shikojë të nesërmen pa të afërmin e saj, atëherë mund t’a pyesësh: “Çfarë kishe më të vështirë sot?”
Dëgjoji përgjigjet e tij/saj. Vazhdoje bisedën në mënyrë që miku juaj të ketë mundësi të zbrazë ndjenjat e veta.

Thuaji sesa ju ka prekur humbja e personit. Tregoji për kujtimet e bukura që ke patur (sado të pakta të jenë) me personin e tij/saj të dashur. Akoma nuk e kemi zakon, por ndoshta mund të ndihmojë një kartolinë e bërë për këtë rast. Efektin e saj e kam provuar kur në një moment të vështirë më vjen një kartolinë nga një vëlla që jetonte në Amerikë, i cili nuk dinte asgjë për gjendjen time, por kish shkruar fjalë që akoma i kujtoj. Ajo kartolinë ishte më e çmuar në ato momente se çdo gjë tjetër.
 
Thuaji që je lutur për të. Barra e ngarkuar me dëshpërim lehtësohet kur dikush e mban atë në lutje, por është mirë t’ia bësh të njohur jo për të marrë ndonjë lëvdatë, por për ta bërë të ndjehet jo i vetmuar.

Trego nga jeta jote një vështirësi që ke kaluar. Ata që humbin dikë i duket vetja si të vetmit që kanë kaluar një dhimbje të tillë, por kur i tregon ngjashmërinë e veprimeve të tua në raste të tilla, e ndihmon personin të jetë i lirë të shprehet ashtu siç e ndjen. Por kujdes, mos thuaj: “E di si ndjehesh!” Secili ka dhimbjen e vet. Megjithëse çdo dhimbje është e ndryshme historia jote mund t’i ndihmojë ata të shohin që nuk janë të vetmit që janë ndjerë si të humbur dhe të vetmuar. Lejo Zotin t’i ngushëllojë ata përmes teje (2 Kor 1:4).
 
Ofro më shumë sesa fjalë. Shpesh nëse i pyet njerëzit se çfarë kanë nevojë, jo gjithmonë ata e pranojnë/mendojnë që kanë nevojë nga ty. Hap sytë të shikosh dhe hap veshët të dëgjosh për diçka që mund të bësh. Në raste të tilla familjet kanë nevojë për financa dhe ndihma të ndryshme praktike. Jep atë që ke në zemër dhe ofroje me gatishmëri, sepse në fund do jetë patjetër ndihmë. Ndoshta ndonjëherë pyet më specifikisht sesa “Për çfarë ke nevojë?”. Psh, a të sjell këtë apo të blej atë, etj.
 
Vazhdo t’i qëndrosh pranë. Dhimbja nuk mbaron kur bëhet varrimi. Sado që nga jashtë gjërat mund të duken sikur i kthehen realitetit, nga brenda zemrat akoma qajnë. Megjithëse në ditë të caktuara dhimbja e humbjes se njeriut të dashur duket sikur ka avulluar, ajo shfaqet herë pas herë, shpesh jo e lehtë, sidomos kur bëhet diçka që zakonisht ishte punë e njeriut që s’është më. Boshllëku i humbjes megjithëse zvogëlohet me kohën, mund të zgjasë me javë, muaj dhe vite. Psh mund ta kujtosh duke e vizituar apo dërguar një kartolinë në përvjetorin e ditëlindjes apo humbjes së njeriut të dashur, etj Mos u shqetëso sesi do ta presë këtë miku yt. Një grua që kish humbur djalin e saj thoshte: “Njerëzit besojnë që meqënëse nuk flet për dhimbjen që ke patur, nuk e ndjen më atë humbje. Kjo është si të thuash, meqë nuk mendon për frymëmarjen, atëherë nuk merr frymë."
Të ngushëllosh dikë është sa e vështirë, aq dhe e mundshme. Unë besoj që nëse nxitesh nga dashuria për atë person do të dish të bësh gjënë e duhur dhe në raste trishtimi.

Megjithatë më poshtë janë disa sugjerime praktike se çfarë mund të bësh për mikun tënd:
1. Përqafoje
2. Merr pjesë në varrim
3. Kujdesu për fëmijët e tij/saj gjatë kësaj periudhe
4. Lutu për të dhe thuaja herë pas here.
5. Ndihmoje të rregullojë, pastrojë, dhe lyejë shtëpinë.
6. Ndihmoje në organizimet që duhen bërë në raste të tilla.
7. Mblidh foto të njeriut të dashur dhe bëj një album me to-dhuroja në ndonjë ditë të veçantë përkujtimore.
8. Dhuroji ndonjë libër ku tregohet historia e dikujt që ka kaluar një situatë të tillë, por kjo pasi ka kaluar ca kohë.
9. Jepi para (mundësisht në mënyrë anonime).
10. Gatuaj për familjen që ka kaluar humbjen apo bëji pazaret për ta.
11. Merre në telefon herë pas herë dhe pyete si është.
12. Inkurajoje të vazhdojë të jetojë jetën dhe bëhu pjesë e shëtitjeve apo aktiviteteve të tij/saj.
13. Ftoje në aktivitetet të ndryshme, sidomos ato që i ka patur përzemër.

Mund të bësh shumë më tepër se kaq, mjafton dëshira për të bërë diçka. Mbi gjithçka është dashuria për tjetrin. 

No comments:

Post a Comment