Sunday, November 29, 2009

LIGJI SHQIPTAR PER NDERPRERJEN E SHTATEZENESISE

L I G J

Nr.8045, datë 7.12.1995

PER NDERPRERJEN E SHTATEZENESISE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1
Ligji garanton respektimin e çdo qenie njerëzore që në fillim
të jetës. Ky parim nuk shkelet, përveç rasteve kur është e
domosdoshme dhe në kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
Mbrojtja e këtij parimi, informimi për problemet e jetës dhe
demografisë kombëtare, edukimi i përgjegjësive sociale, pranimi i
fëmijës në shoqëri dhe politika familjare janë detyrime kombëtare.
Organet e pushtetit qendror dhe lokal i realizojnë këto detyrime
dhe mbështetin çdo nismë që ndihmon për realizimin e tyre.

Neni 2
Parimet mbi të cilat bazohet ky ligj janë:
1. Shërbimi shëndetësor i të gjitha niveleve duhet të përdorë
shërbimet e planifikimit familjar, si mjet për të shmangur
shtatëzënësitë e padëshiruara. Ndërprerja e shtatëzënësisë nuk do
të konsiderohet në asnjë rast si metodë e planifikim familjar.
2. Gruaja ka të drejtën e informacionit të saktë dhe
këshillimit përpara ndërprerjes së shtatëzënësisë.
3. Në rastet kur ndërprerja e shtatëzënësisë nuk është në
kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, ajo duhet të kryhet në
kushte të sigurta për shëndetin e gruas.
4. Në të gjitha rastet grave duhet t'u sigurohet shërbim
shëndetësor për trajtimin e ndërlikimeve të mundshme pas
ndërprerjes së shtatëzënësisë.
5. Këshillimi dhe shërbimi i planifikimit familjar pas
ndërprerjes së shtatëzënësisë duhet të jetë i menjëhershëm, me
qëllim që të shmangen shtatëzënësitë e padëshiruara.
6. Ndërprerja e shtatëzënësisë lejohet vetëm kur vërtetohen
rrethana të padëshiruara në këtë ligj dhe në çdo rast me pëlqimin
e gruas.

KREU II

NDERPRERJA E SHTATEZENESISE

Neni 3
Ndërprerja e vullnetshme e shtatëzënësisë bëhet vetëm nga
mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore
shtetërore e private që plotësojnë kushtet e përcaktuara në
udhëzimin përkatës të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së
Mjedisit.

Neni 4
Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja e vullnetshme e shtatëzënësisë,që në vizitën e pare duhet të informojë gruan për:
1. Rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatëzënësisë për shtatëzënësitë e ardhshme, si dhe problemet biologjike të ndërhyrjes mjekësore.
2. Të drejtat, ndihmën dhe avantazhet e garantuara me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, si dhe për mundësitë e adoptimit të fëmijëve që priten të lindin.
3. Institucionet dhe organizmat që mund t'i ofrojnë gruas mbështetje morale dhe financiare.
4. Klinikat dhe spitalet që kryejnë ndërprerje të shtatëzënësisë.

Neni 5
Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit përcakton me udhëzim të veçantë përmbajtjen, mënyrën e hartimit dhe shpërndarjes së materialeve udhëzuese me informacionet e parashikuara në nenin 4.

Neni 6
Në rast se gruaja, pas marrjes së informacionit të përmendur në nenin 4, përsërit kërkesën e saj për ndërprerjen e shtatëzënësisë, mjeku kërkon konfirmimin me shkrim të kërkesës. Ky konfirmim kërkohet pasi të kenë kaluar të paktën 7 ditë nga kërkesa e parë.
Kur është e mundur, në këshillimin dhe marrjen e vendimit për ndërprerjen e shtatëzënësisë, merr pjesë edhe bashkëshorti ose prindi.
Në rast se afati prej 7 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të jetë të paktën 2 ditë.

Neni 7
Në rast konfirmimi, mjeku kryen ndërprerjen e shtatëzënësisë në kushtet e përcaktuara në nenin 3. Kur mjeku të cilit i drejtohet kërkesa nuk është ai që do të kryejë ndërhyrjen, atëherë kërkesa i kthehet gruas bashkë me një vërtetim mbi respektimin e procedurave
të nenit 4 dhe 6 për t'i paraqitur te mjeku që do të kryejë ndërprerjen e shtatëzënësisë.
Institucioni shtetëror apo privat ku pranohet gruaja, duhet të përfshijë në kartelën e saj kërkesën dhe vërtetimin për respektimin e procedurave.

Neni 8
Në rast shtatëzënësie jashtë martese në vajza të mitura deri 16 vjeç, përveç kërkesës së saj, për ndërprerjen e shtatëzënësisë kërkohet miratimi i personit që ushtron autoritetin prindëror ose e kujdestarit ligjor të saj.
Kërkesa e vetë vajzës duhet të bëhet pa praninë e personave të përmendur në paragrafin e mësipërm.
Të martuarat në moshë të mitur u nënshtrohen dispozitave të nenit 7 të këtij ligji.

Neni 9
Ndërprerja e shtatëzënësisë për arsye mjekësore mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatëzënësisë, në rast se një komision i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se vazhdimi i shtatëzënësisë dhe/ose lindja e fëmijës rrezikon jetën
ose shëndetin e gruas.
Kur komisioni gjykon se fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën, apo sëmundje invaliduese me trajtim të pasigurtë, vendos për ndërprerjen e shtatëzënësisë në çdo kohë.
Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit përcakton me udhëzim të veçantë rastet e përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë mjekët e komisionit.

Neni 10
Në rastet kur gruaja vlerëson se shtatëzënësia i krijon probleme psikosociale, ndërprerja e vullnetshme mund të kryhet brenda javës së 12 të shtatëzënësisë.

Neni 11
Ndërprerja e shtatëzënësisë për arsye sociale bëhet brenda javës së 22, në rast se një komision i përbërë nga 3 specialistë, mjekë, punonjës socialë, juristë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se shtatëzënësia është rezultat i përdhunimit ose një krimi
tjetër seksual, si dhe kur vërtetohen arsye të tjera sociale.
Udhëzimi për trajtimin e këtyre rasteve dhe përbërjen e komisionit miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit.

Neni 12
Të gjitha ndërprerjet e shtatëzënësisë duhet të bëhen objekt i një deklarimi të konfirmuar nga mjeku që kryen ndërprerjen, i cili dërgohet nga institucioni në Institutin e Statistikës. Të dhënat për ndërprerjet e shtatëzënësive dërgohen nga institucioni shëndetësor shtetëror e privat në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, sipas udhëzimeve përkatëse.
Deklarimi dhe informacionet e tjera nuk duhet të përmbajnë identitetin e gruas.

Neni 13
Të gjitha këshillimoret e grave detyrohen t'u japin grave që kërkojnë të ndërprersin shtatëzënësinë, informacionin dhe këshillat e parashikuara në këtë ligj dhe në akte të tjera nënligjore për zbatimin e tij.

Neni 14
Në të gjitha rastet e ndërprerjes së shtatëzënësisë, mjeku që i kryen ato është i detyruar të informojë gratë për shërbimet e planifikimit familjar dhe t'i këshillojë për metodat kontraceptive që ofron institucioni ku ai punon dhe/ose institucione të tjera shtetërore e private.


KREU III

DISPOZITA TE VEÇANTA

Neni 15
Ndalohet çdo lloj propagande dhe reklamimi, direkt ose indirekt, me fjalë ose figurë, e institucioneve, metodave, medikamenteve e produkteve që shkaktojnë ndërprerje të
shtatëzënësisë, përveç se në botimet shkencore të destinuara për mjekë dhe farmacistë.

Neni 16
Asnjë mjek nuk mund të detyrohet të kryejë ndërprerje të shtatëzënësisë kundër vullnetit të tij.

Neni 17
Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenet 4, 6, 7, 12, 13, 14 dhe 16 të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, dënohet si kundërvajtje administrative me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.
Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenin 15 dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë.
Gjobat jepen nga organet e kontrollit të caktuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit.

Neni 18
Ankimi kundër vendimeve të organit të kontrollit dhe ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative".



Neni 19
Këshilli i Ministrave miraton tarifat shtetërore për dërprerjet e shtatëzënësive.

Neni 20
Të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me këtë ligj
shfuqizohen.

Neni 21
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1331, datë 22.12.1995 të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

1 comment:

  1. E vendosa kete ligj per t'ju dhene nje informacion qe ndoshta nuk e dinit.

    ReplyDelete